Von der Leyen: E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE

Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe e ardhmja e këtij rajoni është në Bashkimin Evropian, ka porositur të mërkurën, në fjalimin vjetor për gjendjen e bllokut, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Pjesën më të madhe të fjalimit të saj para deputetëve të Parlamentit Evropian, von der Leyen ia kushtoi krizës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, masat që ka ndërmarrë BE-ja për t’u përballur me këtë krizë si dhe prioritetet e BE-së për të ardhmen.

Procesin e zgjerimit të BE-së dhe Ballkanin Perëndimor, von der Leyen e ka përmendur vetëm shkurtimisht në fjalimin e saj, duke rikonfirmuar përkushtimin e saj për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Presidentja e Komisionit Evropian, në mënyrë të veçantë e ka përmendur vendimin e BE-së për të nisur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke e quajtur këtë vendim si historik.

“E ardhmja e gjithë rajonit është në BE. Në ndajmë të njëjtën histori dhe të njëjtin fat. Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës e jo vetëm një stacion në rrugën e mëndafshit”, ka thënë von der Leyen, duke paralajmëruar se së shpejti Komisioni Evropian do të dalë me një paketë të veçantë për investime në këtë rajon.

Tradita për fjalimin vjetor për gjendjen e bllokut kishte nisur nga kryetari i mëhershëm i Komisionin Evropian, Jose Manuel Barroso, ishte vazhduar edhe nga Jean Claude Juncker dhe tani këtë traditë po e vazhdon edhe Ursula von der Leyen, e cila ende nuk ka mbushur një vit në krye të Komisionit Evropian. REL