Viola Von Cramon

Von Cramon për vendimin e Kushtetueses: Duhet ta pranoni, nuk ka alternativë tjetër

Raportuesja e Parlamentit Europian për Kosovën, Viola von Cramon ka thënë se të gjitha palët duhet ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i dha të drejtë formimit të qeverisë së re në krye me Avdullah Hotin.

Në një postim në Twitter, Cramon ka thënë se s’ka alternativë tjetër pos pranimit të vendimit.

“Të gjithë duhet të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, s’ka alternativë tjetër. Vetëm zgjedhjet mund të ndryshojë përbërjen e Kuvendit. Tashmë përgjegjësia e Avdullah Hotit është të përpiqet të marrë shumicën në Kuvend dhe të formojë një qeveri stabile për Kosovën”, ka shkruar ajo.

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur mbrëmë aktgjykimin rreth dekretit të presidentit të vendit Hashim Thaçi, përmes së cilit ky i fundit mandatoi për kryeministër Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Sipas këtij aktgjykimi, Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të presidentit Thaçi në të gjitha çështjet e ngritura nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Gjykata ka vendosur që Dekreti i kontestuar i Presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re”, thuhet në aktgjykimin e Kushtetueses.

Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin rreth dekretit të presidentit Thaçi për Avdullah Hotin