Eurodeputetja Viola Von Cramon, Foto: Zyra e Kryeministrit e Kosovës

Von Cramon pas vendimit për Pantiq: Kjo duhet të çojë në heqjen e menjëhershme të barrikadave

Raportuesja për Kosovën për Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka reaguar pas vendimit për Dejan Pantiqi, ish-zyrtari policor i cili ishte arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimet për sulm me mjete shpërthyese në zyrat e KQZ-së.

Për këtë të fundit, sot gjatë ditës është ndryshuar masa e sigurisë nga ajo e paraburgimit në masën e arrestit shtëpiak.

Kjo është mirëpritur nga Von Cramon, e cila ka thënë se ky vendim duhet të çojë në heqjen e menjëhershme të barrikadave.

“E mirëpres me ngrohtësi vendimin e gjykatës për dërgimin e Dejan Pantiqit, polic të Kosovës, në arrest shtëpiak. Kjo duhet të çojë në heqjen e menjëhershme të barrikadave në veri të Kosovës dhe deeskalim të plotë. Mbështetje e plotë për EULEX-in dhe KFOR-in në mbikëqyrjen e tyre” – ka shkruar Cramon në Twitter.

Konfirmimin për ndryshimin e masës ndaj Pantiq e kanë konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi si dhe avokati Nebojsa Vlajiq.

“Vendimi është marrë sot. Pritet që i njëjti (Pantiq) të dërgohet në shtëpi”-  tha Vlajiq për KALLXO.com.

Pantiq ishte arrestuar nga policia e Kosovës më datën 10 dhjetor për sulm në zyrat e KQZ-së në Mitrovicë.

Ndaj Pantiqit ekziston dyshimi se organizoi sulmet e 6 dhjetorit të 2022-ës që ndodhën ndaj zyreve të Komisionit Komunal Zgjedhor në veri të Mitrovicës.

Sulmi ndodhi gjatë kohës kur zyrtarët e KQZ-së po vendoseshin në këto zyre me qëllim të kryerjes së aktiviteteve të tyre për zgjedhjet që ishin planifikuar që të mbaheshin më 18 dhjetor 2022, e që më pas u shtynë për 23 prill 2023.

Zyrtarët e KQZ-së ishin duke u shoqëruar edhe nga zyrtarët e Policisë së Kosovës në kohën kur ndodhi sulmi.

Ndaj Pantiqit, me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30-ditësh.

Arrestimi i tij bëri që nga data e lartcekur e deri më sot rrugët e veriut të Kosovës të jenë të bllokuara nga barrikada që u vendosën në komunat me shumicë serbe.

Në një video nga Rudarja, lideri i Listës Serbe, Goran Rakiq, përmes një porosie që ia ka dërguar Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i ka numëruar edhe kushtet për largimin e barrikadave në veri.

“Lirimi i të gjithë serbëve të arrestuar, tërheqja e të gjitha njësive nga veriu i Kosovës, heqja e të gjitha listave dhe listave sekrete për vrasjen e serbëve” – deklaroi Rakiq.

Adresimi i kryetarit të Listës Serbe erdhi pas deklarimit të kryeministrit Albin Kurti për median britanike “The Guardian”, në lidhje me situatën në veri të Kosovës. Kurti ka deklaruar se largimi i barrikadave mund të shkaktojë edhe pasoja, kështu që po duan të jenë të kujdesshëm.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin e Dejan Pantiq – LINK .