Viola Von Cramon

Von Cramon: Mund të ketë hapa të rinj drejt liberalizimit të vizave

Raportuesja e Parlamentit Europian për Kosovën, Viola von Cramon, është optimiste se do të ketë hapa të rinj sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën.

Von Cramon në një bisedë për KALLXO.com ka thënë se heqja e vizave për qytetarët e Kosovës do të duhej të kishte ndodhur shumë kohë më parë.

“Kjo gjë do të duhej të ndodhte pikërisht kur Kosova i përmbushi të gjitha kriteret që u kërkuan prej tyre”, tha ajo.

Ajo po ashtu tregoi për KALLXO.com se është duke u munduar t’i bind kolegët e saj që një gjë e tillë të ndodhë.

“Kjo varet nga Këshilli tani. Po mundohem të bind kolegët nga institucionet e tjera që nuk duhet të presim më gjatë. Presidenca kroate mund të ketë shkuar të paktën në hapat e parë tashmë, por unë jam optimiste rreth kësaj, pas rastit së hapjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, mbase mund të kemi edhe disa hapa të mëtejshëm me këtë”, tha Von Cramon.

Sipas saj, BE me mosliberalizimin e vizave për Kosovën e ka ulur besueshmërinë në Kosovë dhe rajon.

“Liberalizimi i vizave është një shembull i përsosur për këtë, i cili fatkeqësisht ndodh shumë shpesh në BE. BE kërkon diçka nga një vend, ne vendosim standarde, Kosova i përmbush ato dhe pastaj asgjë nuk ndodh”, u shpreh ajo.

“Institucionet e Kosovës kanë bërë detyrat e tyre të shtëpisë, por për disa arsye, kryesisht arsye të brendshme politike të kombinuara në Këshill bllokuan vendimet. Kjo bën të duket se BE nuk po i mban premtimet e veta”, tha më tej eurodeputetja.

Lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në Zonën Schengen në diskursin e politikës brenda dhe jashtë vendit ka nisur që nga viti 2010.

Për tri vjet rresht, liberalizimi i vizave për Kosovën ishte kushtëzuar nga BE-ja me ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Por, edhe pse Kuvendi i Kosovës, ndonëse me tri vjet vonesë arriti ta ratifikonte demarkacionin, BE-ja më pas nuk arriti konsensusin e brendshëm për t’ua hequr vizat qytetarëve të Kosovës.