Viola von Cramon

Von Cramon: Barrikadat të hiqen, paqja në veri është prioritet

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropain, Viola Von Cramon, ka thënë se rivendosja e paqes dhe stabilitetit në veri të Kosovës duhet të jetë prioritet.

Von Cramon thotë se pret që barrikadat e serbëve të Kosovës të largohen si ulje e përshkallëzimit.

“Rivendosja e paqes dhe e stabilitetit në veri të Kosovës duhet të jetë prioritet. Sidomos sulmet ndaj EULEX-it. Unë pres që barrikadat e serbëve të Kosovës të çmontohen si ulje e përshkallëzimit. Mbështetje e plotë për dialogun, i udhëhequr nga BE-ja”-  shkroi ajo në “Twitter”.

Disa serbë lokalë, qysh më 10 dhjetor, ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Këto veprime i ndërmorën pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-pjesëtarin e këtij institucioni, Dejan Pantiq, nën dyshimet për përfshirje në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë.

Sulmet ndodhën derisa KQZ-ja po bënte përgatitje për zgjedhjet lokale në komunat veriore: Leposaviq, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok.

Zgjedhjet u shpallën pasi kryetarët e komunave dhe përfaqësues tjerë serbë u larguan nga vendet e punës në fillim të nëntorit, duke kundërshtuar një vendim të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar qarkullimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Përfaqësuesit serbë, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, i kundërshtuan edhe zgjedhjet, që fillimisht u planifikuan për datën 18 dhjetor.

Për shkak të situatës së tensionuar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i shtyu ato për në prill të vitit të ardhshëm.

Autoritetet e Kosovës akuzuan “bandat kriminale serbe, të udhëhequra nga Beogradi”, për disa incidente me armë zjarri dhe shok-bomba që ndodhën ditëve të fundit në veri. Zyrtarët serbë thanë se udhëheqësit e Kosovës po përpiqen “t’i dëbojnë” serbët nga veriu.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se autoritetet serbe do të bëjnë kërkesë te misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, që në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të sigurojë vendosjen e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës.