Shirit i Policisë - Foto: REL

Vlorë, vdes gruaja që u plagos nga shpërthimi i bombolës së gazit

Në spitalin e Tiranës ka vdekur 42-vjeçarja, M. Selimi, e cila mbeti e plagosur si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit në shtëpinë e saj.

Ngjarja e rëndë u regjistrua në datën 17.07.2019,  rreth orës 05:53, në Selenicë të Vlorës, ku i plagosur mbeti edhe burri i saj 49 vjeçari, R. Selimi.

Selimi nënë e 3 fëmijëve, u dërgua në spitalin e Tiranë për një mjekim më të specializuar, por nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra, raporton oranews.

Djali i viktimës, M. Selimi për mediat ka treguar momentin se si e ka marrë vesh lajmin e ngjarjes së rëndë.

“Më tha kushëriri në orën 1 të natës, por nuk e dija nëse ishte për këtë apo për punë tjetër. E kam marrë vesh tamam në orën 06:00 dhe u nisa direkt. Babi vetëm sa është plagosur pak. Situata ka qenë e tillë. Kishim një bombol të vjetër dhe mami mori një bombol të re dhe nga momenti i montimit mund ta ketë harruar edhe të hapur. Përderisa ka pasur plasje të mureve nga të gjitha anët besoj se ka pasur rrjedhje në të gjitha anët”, tregoi ai./21Media