
Foto: Policia e Shtetit
Vlorë, sekuestrohen afër 219 mijë euro të padeklaruara në kufi
Policia e Shtetit ka sekuestuar në Vlorë 218.885 euro të padeklaruara në kufi dhe një sasi vere, e cila dyshohet të jetë e kontrabanduar.
Sipas njoftimit, lidhur me rastin është arrestuar një 50-vjeçar.
“Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin që ky shtetas drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 218 885 euro të padeklaruara sipas përcaktimeve ligjore në fuqi dhe kuti me shishe vere, pa faturë blerjeje” – thuhet në njoftimin e Policisë shqiptare.
Operacioni është kryer nga shërbimet e Pikës së Kalimit Kufitar Port Vlorë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të DVP Vlorë dhe autoritetet doganore.
Policia ka treguar se i dyshuari, shtetasi A.B., ishte duke vozitur një mjet kamion tip “DAF”.
50-vjeçari, banues në Vlorë, sipas njoftimit dyshohet për veprat penale – mosdeklarimi i të hollave dhe i sendeve me vlerë në kufi, – pastrimi i produkteve të veprës penale dhe – kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë.
Tutje është treguar se në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë është duke vijuar puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti dhe se materialet e sekuestruara i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
