Vlorë, arrestohen 2 të kërkuar për mundësim të kalimit ilegal të kufirit

Policia e Shtetit ka njoftuar se ka arrestuar dy persona R.R., 31 vjeçar dhe E.M., 27 vjeçar nën dyshimin se kanë ndihmuar persona për kalimin e paligjshëm të kufirit.

Të dy të dyshuarit ishin në kërkim nga Policia e Shtetit.

Sipas njoftimit të policisë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasit R. R., 31 vjeç dhe E. M., 27 vjeç, të dy banues në Vlorë të cilët Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, iu ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg.

Të dyshuarit sipas policisë kanë kryer veprën penale më shumë se një herë.

Këta shtetas dyshohen se janë përfshirë në veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror të shtetasve nga vendet e treta në bashkëpunim me shtetasin I. H, i arrestuar në muajin Dhjetor nga Policia.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.