Ismail Kadare. Foto: Facebook

Vlora Dumoshi uron Ismail Kadarenë në 85 vjetorin e lindjes

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi e ka uruar shkrimtarin Ismail Kadare në 85 vjetorin e lindjes.

“Sot, shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, mbush 85 vjet. Si ministre e MKRS-së, në emër të institucionit dhe në emër të kulturës në Kosovë, dua t’ia uroj ditëlindjen shkrimtarit tonë, kolosit të letrave shqipe dhe jo vetëm, i cili me krijimtarinë e tij ka arritur të tejkalojë kufijtë kombëtarë për t’u bërë një shkrimtar i përmasave botërore”, ka shkruar Dumoshi, në mesazhin e saj.

Kadare, ka shkruar më tej Dumoshi, mbetet gjeniu i artit letrar që ka pasqyruar zhanre të ndryshme të prozës, pa lënë anash as poezinë, më të cilën edhe nisi rrugën e tij si shkrimtar.

Sipas saj, laureat i shumë çmimeve vendore e ndërkombëtare, Ismail Kadare, mbetet krenaria dhe simboli i artit letrar shqiptar në Botë.

“Urime 85 vjetorin, shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare. Korpusi i madh i krijimtarisë së tij vazhdoftë edhe më tej, krahas shëndetit që urojmë ta ketë edhe gjatë”, ka potencuar Dumoshi në mesazhin e saj për ditëlindjen e gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadare.