Foto: Vlora Çitaku/ Twitter
Vlora Çitaku pyet: Çka po kërkon ambasadori rus në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë?
Ish-ambasadorja e Kosovës në ShBA dhe zyrtarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pasi ambasadori rus në Beograd është parë duke patrulluar së bashku me ministrin serb të Mbrojtjes afër pikës kufitare në Jarinjë.
Çitaku ka pyetur në Twitter se çka është duke kërkuar Aleksandar Bocan-Kharchenko në afërsi të Jarinjës.
“Çfarë po bën ambasadori rus në Beograd duke patrulluar kufirin midis Kosovës dhe Serbisë. Pse është atje me ministrin serb të Mbrojtjes?”, ka shkruar ajo.
Gjatë ditës së sotme, ministri serb i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq vizitoi trupat ushtarake në dy baza, përfshirë bazën ushtarake “Rudnica” që është vetëm disa kilometra larg kufirit në Jarinjë.
Situata në veri aktualisht është e qetë, por sot për të shtatën ditë me radhë pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në Jarinje dhe Bërnjak, vazhdojnë të jenë të bllokuara.
Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës vazhdojnë të qëndrojnë atje.
Serbët lokalë po kundërshtojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitet në çështjen e targave të veturave të Serbisë, që hyjnë në Kosovë.
Ata po pamundësojnë kalimin e veturave, ndërkohë qytetarët po detyrohen të kalojnë kufirin këmbë.
Autoritetet e Kosovës, të hënën, më 20 shtator, kanë nisur zbatimin e masës së reciprocitetit për targa të automjeteve, duke detyruar shoferët e automjeteve të Serbisë që hyjnë në Kosovë të vendosin targa të përkohshme të Kosovës siç po vepron Serbia tash e sa vite.