Foto: KALLXO.com

Vlora Çitaku: PDK ka vetëm një kandidat për kryeministër

Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, tha se partia e saj ka vetëm një kandidat për kryeministër – atë me të cilën garoi në zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025 – Bedri Hamzën.

Ajo tha se do të vazhdojnë me Hamzën edhe nëse shtrohet nevoja që të krijojnë Qeverinë.

“Është shumë herët dhe unë nuk jam personi i autorizuar të flas. Ne kemi vetëm një kandidat për kryeministër. Vetëm një kandidat për kryeministër. Me të kemi garuar dhe ai do të përfaqësojë bashkë me kryetarin e partisë, Memli Krasniqin, qëndrimet e PDK-së në bisedimet eventuale që do të mbaheshin vetëm pas përfundimit dhe certifikimit të rezultatit zgjedhor”- tha ajo.

Kështu u përgjigj ajo në pyetjen e gazetarit të KALLXO.com, Shqipron Xhema, pas disa bisedave që rrodhën në rrjete sociale, ku u përmendën emri i Çitakut, i ish-kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka, Blerim Shalës dhe Bedri Hamzës, nëse krijohet Qeveria nga opozita.

Një gjë e tillë u bë virale në rrjet pas shpërfaqjes së një bisede në WhatsApp mes gazetarit Berat Buzhala dhe ish-zv.ministrit të Punëve të Jashtme, Petrit Selimi.

Kurse në pyetjen tjetër të KALLXO.com se a i është kërkuar nga PDK-ja LDK-së, saktësisht kandidatit të LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, mos të japë qëndrime gjatë kësaj kohe, ajo tha se një gjë e tillë nuk është e vërtetë. 

“Nuk kemi pasur asnjë lloj kërkese dhe ne nuk kemi ne atë rol. Roli jonë është që të koordinojmë punët tona”- u përgigj ajo.

Kurse në pyetjen tjetër se a e bën PDK-ja komunikimin me LDK-në përmes Petrit Selimit dhe Berat Buzhalës, ajo u përgjigj shkurt se PDK-ja i ka strukturat e veta.

“PDK ka strukturat e saj, ka Kryesinë, ka kryetarin, sekretaren e përgjithshme dhe ne jemi ata që komunikojmë me partnerët eventualë të koalicionit pas certifikimit të rezultatit”- tha ajo.

Çitaku tha se rezultatet e zgjedhjeve nuk janë vetëm shifër, por një mesazh se PDK-ja po rikthen besimin e qytetarëve dhe po konsolidohet si forcë kryesore në skenën politike të Kosovës.

 “Ne jemi të gatshëm që me kandidatin Bedri Hamza të marrim përgjegjësinë e qeverisjes dhe ta çojmë Kosovën përpara”- tha ajo.

Bazuar në rezultatet paraprake, deri më tani Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka grumbulluar 40.87 për qind, apo 340.541 vota, pa përfshirë këtu votat nga diaspora, ato me kusht dhe votat e personave me aftësi të veçanta.

Për dallim nga tash, në zgjedhjet e vitit 2021, kjo parti i kishte marrë 50.2 për qind apo 438,335 vota.