Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vlerësimin identik në testin me shkrim i tre anëtarëve të Bordit për njërin kandidat për drejtor të RTK-së, Hoxha paralajmëron se do e dërgojë në Prokurori

Fadil Hoxha dhe Gjergj Filipaj, dy kandidatët që garuan për drejtor gjeneral të Radiotelevizionit të Kosovës kanë reaguar pas publikimit të rezultateve të intervistës, ku Shkumbin Ahmetxhekaj renditet i pari.

Hoxha i cili u tërhoq dje nga ky konkurs, në një postim në “Facebook” ka shkruar se nëse ekspertiza dëshmon se nuk ka gjasa që siç thot ai, që votimi identik të jetë rastësi, rastin do ta dërgojë në prokurori.

“Sipas avokatit tim, nëse ekspertiza dëshmon se nuk ka gjasa qe ky votim identik të jetë rastesi atëherë rastin do ta dërgojmë ne prokurori. Në bazë të një llogaritjeje të një eksperti finanaciar gjasat që kjo të jetë rastësi janë rreth 1/1 trilion. Sipas tij bazuar në parametrat: 15 pyetje 9 anëtarë Bordi, Poentimi prej: 1-15; gjasat janë më të mëdha të fitohet në lotarine gjermane se sa poentimi i të treve të jetë identik”, shkruan Hoxha.

Hoxha gjithashtu ka deklaruar se njëri prej monitoruesve të procesit është i gatshëm të dëshmojë në gjykatë dhe që sipas tij përkthyesi edhe pse ka qenë i pranishëm, nuk ka përkthyer kur anëtari serb i bordit ka vlerësuar testet.

“Po ashtu bazuar në atë që kemi parë njëri prej monitoruesve të procesit e që është i gatshëm të dëshmojë edhe në gjykatë, të tre të apostrofuarit gjatë kontrollimit të testeve kanë qenë fizikisht afër njër- tjetrit. Çuditërisht, përkthyesi edhe pse ka qenë i pranishëm në sallë, për dallim prej herave tjera nuk ka përkthyer në momentin kur anëtari serb i Bordit ka vlerësuar testet”, ka shtuar Hoxha.

Ndërkaq, reagimi i kandidatit tjetër, Gjergj Filipaj, i cili u rëndit i treti pas publikimit të rezultateve të intervistës, ka qenë i shkurtër.

“Vendim. Matematikë. Komedi”, ka shkruar Filipaj.

Gjatë ditës së djeshme, KALLXO.com ka raportuar se kandidatët Fisnik Dërguti, Hysen Hundozi dhe Fadil Hoxha janë tërhequr nga gara për drejtor gjeneral të Radiotelevizionit të Kosovës.

KALLXO.com gjithashtu ka raportuar për dallime të mëdha në poentim nga anëtarët e bordit për përgjigjet e njëjta të kandidatëve për drejtor të RTK-së.

KALLXO.com ka shkruar më 14 mars se tetë kandidatë për drejtor të përgjithshëm të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) kanë arritur të kalojnë testin me shkrim dhe janë ftuar për fazën e fundit të konkursit – intervistë.

Në fillim të muajit shkurt, bordi i RTK shpalli konkurs për drejtor të përgjithshëm të këtij institucioni.

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – BIRN është duke e monitoruar procesin qysh prej shpalljes së konkursit.