Vlerësimi i popullsisë nga ASK: Në vitin 2021 Kosova me mbi 24 mijë banorë më pak se në vitin 2020

Në vitin 2021, popullsia e përgjithshme rezidente në Kosovë është vlerësuar të jetë mbi 24 mijë banorë më pak se në vitin 2020.

Sipas vlerësimit të popullsisë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), popullsia rezidente e Kosovës në vitin 2021 ishte 1,773,971 banorë. Në raport me vitin 2020, ky numër është më i vogël për 24,215 banorë. Në vitin 2020, Kosova vlerësohej se i kishte 1,798,186 banorë.

Nga vlerësimet e popullsisë, vërehet se numri i banorëve ka pësuar luhatje ndër vite.

Në anën tjetër, regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë për herë të fundit është bërë në vitin 2011. Ndërsa regjistrimi i ardhshëm i popullsisë do të realizohet nga data 1 shtator deri më 16 tetor 2023.

Agjencia e Statistikave të Kosovës obligohet që t’i fillojë përgatitjet për realizimin e regjistrimit të popullsisë në periudhën e caktuar kohore.

Ndërkohë, që obligohet çdo banor i Republikës së Kosovës, që gjatë regjistrimit, zyrtarit për regjistrim t’ia ofrojë të gjitha të dhënat e sakta për vete dhe për të afërmit e tij/e saj.