Vlerësimi i BE-së për zgjedhjet e së dielës - Problem financimi jotransparent i fushatës

 

Misioni i Vëzhguesve të Bashkimit Evropian i ka vlerësuar si pozitive, të rregullta dhe transparente zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që u mbajtën me 6 tetor në Kosovë.

Shefja e Misionit të Vëzhguesve të Bashkimit Evropian, Viola von Cramon-Taubadel në konferencën e parë për media tha se zgjedhjet e së dielës ishin mirë të administruara dhe transparente.

“Dita e zgjedhjeve ishte e rregullt, procesi është vlerësuar pozitiv. Fushata ishte e gjallë megjithatë në trevat me banorë serbë fushata u cenua për kandidatët dhe votuesit serbë qe u frikësuan pasi nuk ishin rreshtuar me Listën Serbe. Dita e zgjedhjeve ishte e rregullt dhe e qetë dhe vëzhguesit e BE-së nuk raportuan incidente madhore”, tha ajo, duke shtuar se në këto zgjedhje ka pasur me shumë votues se herët e kaluara.

Misioni Vëzhgues i BE-së e ka vlerësuar edhe punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“KQZ transparencë të procesit duke publikuar menjëherë rezultatet preliminare në internet, për subjektet politike. Transparenca ishe tipar kyç i punës së KQZ-së, sepse përkundër afatit të shkurtër kohor të gjitha përgatitjen e u kryen me kohë”, shtoi zyrtarja.

Megjithëkëtë sipas Cramon, në këtë proces ka pasur problematika që kërkojnë adresim, pasi sipas saj procesi zgjedhor për serbët e Kosovës nuk i përmbushi standardet ndërkombëtare.

“Dispozitat për thirrjen e zgjedhjeve të hershme në afat të ngushtë kohor, mungesë e transparencës në financimin e fushatave. Këto çështje duhet të adresohen urgjentisht. Kjo duhet të ketë vullnet politik për reformat e nevojshme”, tha ajo.

Ky mision në këtë konferencë ka shtuar se fushata elektorale ishte e gjallë dhe konkurruese në tërë Kosovën, si dhe bëri të ditur se liria e mediave u respektua.

“Mirëpo disa kanale shkelën rregulloren për përmbajtjen me pagese duke përfshirë reklamim polik. KPM dështoi të adresojë këto shkelje. Edhe në transmetuesin publik pati shkelje, në ueb-faqen e tyre ka pasur mbulueshmëri të njëanshme. Edhe në Facebook si rrjeti më i popullarizuar në Kosovë ka pasur fushatë.

Kurse, Andrey Kovatchev shef i delegacionit nga Parlamenti Evropian tha se procesi i zgjedhjeve për serbët e Kosovës nuk i plotësoi në masë të madhe standardet ndërkombëtare.

“Është për keqardhje që problemet sistematike të ripërsëritura që edhe më tutje nuk janë trajtuar. Autoritetet duhet ta sjellin Kosovën në standardet e duhura. Te financimi i partive politike, shumë parti kanë interpretuar ligjin që nga ata kërkohet të publikojnë shpenzimet vetëm në fushatë. Kjo në masë të madhe ulë transparencën. Këto dobësi në legjislacionin aktual duhet të adresohen”, tha ai.

Misioni Vëzhgues ndërkombëtar në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë ka pasur 108 vëzhgues nga 27 shtete anëtare të BE-së dhe nga Norvegjia e Zvicra.