Vlera milionëshe e pronave për ndërtimin e objekteve të tri gjykatave

Pronat në të cilat do të ndërtohen objektet e reja të gjykatave të Pejës, Mitrovicës dhe Prizrenit kanë vlerën e miliona eurove.

Kabineti qeveritar në mbledhjen e 9 marsit ka marrë vendim që të shpronësojë 5 prona për ndërtimin e objekteve të gjykatave në këto komuna, të cilat në total kapin vlerën e 4 milionë e 194 mijë eurove.

Për shkak se janë prona ish-shoqërore, nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) kanë thënë për KALLXO.com se do të kompozohet vetëm 20 për qind e çmimit.

Pra në total, KGjK për shpronësimin e këtyre 5 pronave për këto tri objekte do të paguajë shumën në vlerë prej 838 mijë e 800 euro.

KALLXO.com përmes kërkesës për qasje në dokumente publike nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), ka siguruar të dhënat se sa është paguar metri katror për secilën nga këto prona.

Për ndërtimin e objektit në Pejë, janë shpronësuar dy prona, të cilat kapin vlerën e 1 milion e 129 mijë e 640 euro.

KGjK për shpronësimin e këtyre dy pronave do të paguajë 20 për qind të shumës, pra 225 mijë e 928 euro.

Sipërfaqja e shpronësuar është 3,644 metra katrorë, ndërsa metri katror është paguar 310 euro.

Këto prona përfshijnë, tokë ndërtimore, shtëpi/ndërtesë dhe oborr dhe janë ish-prona shoqërore.

Për KALLXO.com nga KGjK kanë sqaruar se shpronësimi për ndërtimin e objektit të Gjykatës së Pejës ka qenë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), nga viti 2015, mirëpo tanimë është në kompetencë të KGjK-së, e cila do të paguajë edhe për këtë shpronësim.

Në Prizren janë shpronësuar 4 mijë metra katrorë, ashtu si në Pejë edhe në Prizren për metër katror është paguar shuma prej 310 eurove.

Kjo pronë e cila është pronë ish-shoqërore sipas dokumentacionit është arë e klasit të parë.

Kjo arë ka qenë prona e vetme e shpronësuar për ndërtimin e objektit të kësaj gjykate, e cila kap vlerën 1 milion e 240 mijë euro.

Mirëpo Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), për këtë pronë në të cilën pritet të ndërtohet objekti i Gjykatës së Prizrenit do të paguajë 248 mijë euro.

Ish-objekti ‘Jugobanka’ në Mitrovicë është marrë vendim që të shpronësohet për nevojat e Gjykatës së Mitrovicës.

Kjo pronë e cila ka sipërfaqe prej 1,360 metrave katrorë, ka vlerën hiç më pak se 1 milion e 824 mijë e 360 euro.

Një metër katror u pagua 680 euro, ndërsa sipërfaqja e shpronësuar është tokë ndërtimore, shtëpi/ndërtesë dhe oborr.

KGjK do të paguajë 364 mijë e 878 euro për këtë pronë, në të cilën pritet ndërtimi i objektit të Gjykatës së Mitrovicës.

Nga KGjK në një përgjigje për KALLXO.com kanë thënë se këtë vit pritet të fillohet me procedura të ndërtimit.

“Projekti i Prizrenit dhe Mitrovicës parashihen të fillojnë në këtë vit, nëse nuk marrin shumë kohë procedurat e ekzekutimit të pagesave në vlerë prej 20 %, të vlerës së shpronësimit dhe bartjes së pronave nga AKP në KGjK”, thuhet në përgjigje.

Sipas tyre ende nuk është hapur asnjë tender për këto projekte, pa u bërë bartja e pronave në emër të KGjK-së.

Për shpenzime kapitale, buxheti i cili është aprovuar për vitin 2022 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës është 2 milion e 220 mijë euro dhe në kuadër të këtij buxheti sipas KGjK-së do të kryhen këto shpronësime.

Miratimi i kërkesës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), për shpronësimin e këtyre pronave ishte bërë në kohën e kryeministrit Avdullah Hoti, më saktësisht më 8 mars 2021.

Pastaj më 23 dhjetor është marrë vendimi preliminar, ndërsa vendimi përfundimtar është marrë me 9 mars.

Në mbledhjen e 9 marsit, kryeministri i vendit Albin Kurti tha se ky vendim do të sigurojë kushte më të mira për gjyqësorin.

“Me shpronësimin përfundimtar qeveria mundëson realizimin e projekteve për gjykatat në këto 3 qytete për të krijuar kushte dhe hapësira sa më të mira për gjyqësorin”, tha Kurti.