Foto nga një mbledhje e kaluar e Qeverisë - Foto: ZKM

Vlera financiare e mjeteve të konfiskuara do të shkojnë në mbështetje të grupeve të margjinalizuara

Vlera e mjeteve të konfiskuara, ndaj të cilave do të ketë verdikt final të Gjykatave vendore do të shkojnë në mbështetje të grupeve të margjinalizuara në vend.

Kjo është bërë e mundur pas votimit në qeveri të koncept-dokumenti për Fondin e Konfiskimit.

Kështu ka njoftuar zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu përmes një postimi në Facebook.

Sipas tij, kjo ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e partnerëve ndërkombëtarë.

“E veçanta e këtij Fondi është se nga konfiskimet pas verdiktit të formës së prerë nga gjykata, mjetet e përfituara financiare do të destinohen për mbështetje të grupeve të margjinalizuara, në funksion të integrimit të tyre në shoqëri”, ka shkruar Sallahu në rrjetin social Facebook.

Sallahu bëri me dije se në këtë mbledhje u miratua edhe Propozim-vendimi për kriteret e dhënies në shfrytëzim të pronave të konfiskuara në drejtim të institucioneve lokale e qendrore, pas kërkesës nga ana e tyre dhe konform nevojave që kanë.

“Kjo e lehtëson barrën financiare të Ministrisë për mirëmbajtjen e këtyre pronave dhe në të njëjtën kohë i ndihmon institucionet tjera që përfitojnë nga shfrytëzimi i tyre”, tha ai.