Vjosa Osmani: Vuçiq vetëm mund ta dëgjojë qëndrimin tonë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, mund t’i dëgjojë qëndrimet e Kosovës dhe se deklaratat e tij nuk shërbejnë si kriter që Kosova të ndërtojë qëndrimet e veta.

Ajo ka folur kështu në RTK, teksa është pyetur për qëndrimin e presidentit serb për reciprocitetin e paralajmëruar nga Qeveria e re e Kosovës.

“Vuçiq i cakton qëndrimet e Serbisë, kurse qëndrimet e Kosovës i caktojnë përfaqësuesit e Republikës së Kosovës. Vuçiq nuk është person që mund të përzihet në qëndrimet tona. Ai do t’i dëgjojë qëndrimet tona kur do t’i prezantojmë ato. Ai le të harrojë që ne do t’i dëgjojmë qëndrimet e tij si kritere për të ndërtuar qëndrimin tonë”, ka thënë Osmani.

Vuçiq ka thënë gjatë ditës se Kosova nuk mund t’i vendosë reciprocitet Serbisë. /Rtklive