Foto: Kuvendi i Kosovës

Vjosa Osmani vizitoi Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë, në ditën ndërkombëtare të tyre

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani për nder të Ditës Ndërkombëtare të të Moshuarve dhe në kuadër të projektit “Furnizimi me mjete mbrojtëse kundër Covid-19 për kategoritë e rrezikuara sociale”, ka vizituar Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë.

Kuvendi i Kosovës përmes në komunikate njofton, se Osmani ka theksuar se një shtet shpërfaqë zhvillimin dhe emancipimin shoqëror, atëherë kur tregon vëmendjen  dhe kujdesin e nevojshëm për personat e moshuar.

“Në takim me të moshuarit, u theksua nevoja për zgjerimin e rrjetit të shtëpive për të moshuar dhe në komunat e tjera”, thuhet në njoftim.

Kryeparlamentarja shtoi se sfida me pandeminë vuri në pah punën e madhe dhe rëndësinë e profesionit të mjekëve e infermierëve.

“Ishte lajm shqetësues përhapja e infeksionit në Shtëpinë e të Moshuarve, ndaj na gëzon fakti që e kaluat me lehtësi dhe pa raste fataliteti”, ka thënë ajo.

Tutje në njoftim theksohet se banorët e Shtëpisë së të Moshuarve, shprehën falënderimin për mbështetjen institucionale, shpalosën kërkesat dhe rrëfyen pjesë të përditshmërisë së tyre, duke potencuar përkushtimin e profesionistëve shëndetësor për ta.

Projekti është mbështetur nga Kuvendi i Kosovës dhe Ambasada e Luksemburgut, ndërkaq është realizuar nëpërmjet Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve  në Kosovë (PRAK). ​