Vjosa Osmani tregon se çfarë i ka thënë Hoti për 'shtyrjen' e dialogut me Serbinë

Ushtruesja e detyrës e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh kryetare e Kuvendit të Kosovës, ka thënë se nuk e ka quajtur pezullim ndërprerjen e dialogut me Serbinë, për shkak të gjendjes aktuale politike në vend.

“Unë nuk e kam fjalën për shtyrje të dialogut, shtyrje afatgjate mirëpo e kam fjalën për një përpjekje më të madhe të brendshme tonën dhe po ashtu duke pasur parasysh zhvillimet e fundit, nëse vendoset të vazhdohet tash këto ditë nuk e besoj që Kosova do të jetë në situatë të favorshme që të vazhdojë”, tha ajo në një konferencë për media të martën në Prishtinë.

Ajo shtoi se si parakusht është që të gjitha forcat politike në vend të riunifikohen rreth një qëndrimi të vetëm sa i përket dialogut.

“Deri tani ka pasur laramani qëndrimesh, madje edhe brenda koalicionin qeverisës që është për të ardhur keq, e lëre më të një spektri edhe më të gjerë politik”, tha Osmani.

“Prandaj ajo që kam kërkuar është që të rikonfirmohen qëndrimet politike përtej atyre fjalive të zakonshme dhe koncepteve të gjera që ju i dëgjoni, pra që të gjitha forcat politike në parlamentin e Kosovës ulemi dhe të diskutojmë lidhur me qëndrimet e Kosovës për secilën temë, për secilën pikë dhe jo të vendoset pastaj parlamneti në situata të ngjajshme me ato të vitit 2013 kur merret vesh se çka po nënshkruhet vetëm pak minuta para ratifikimit”, shtoi Osmani.

Kryeparlamentarja tha se për këtë temë ka folur edhe me kryeministrin, Avdullah Hoti.

“Ai më ka njoftuar që nuk ka plan të ketë ndonjë takim gjatë ditëve në vijim”, tha ajo.

Vjosa Osmani kërkon ndërprerjen e dialogut me Serbinë