Vjosa Osmani tregon nëse do të përfshihet në procesin e dialogut me Serbinë

Ushtruesja e detyrës e presidentes së Kosovës, njëherësh kryetare e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar rreth mundësisë që të përfshihet në procesin e dialogut me Serbinë.

Osmani ka shtuar se vlerëson që nuk do të ishte racionale që ajo të jetë pjesë e këtij procesi, në të cilin nuk ka qenë nga fillimi.

“Si ushtruese e detyrës së presidentit, po as si kryetare e Parlamentit, askush nuk ka kërkuar që të përfshihem në dialog dhe ashtu nuk besoj që do të ishte racionale që unë të përfshihem në një proces në të cilin nuk kam qenë nga fillimi ose të marr përsipër marrëveshje të cilat i kanë negociuuar të tjerët”, tha ajo në një konferencë për media.

Ajo shtoi se nga pozita e kryetares së Kuvendit do të kërkojë që të gjitha forcat politike në Kuvend të jenë të involvuara në këtë proces sepse ajo marrëveshje në fund do të vijë në këtë Kuvend.

“Kurse nga pozita e u.d. të presidentit, jo vetëm që e kam detyrë kushtetuese por e mendoj si të domosdoshme që këto forca politike edhe t’i kenë qëndrimet e përbashkëta rreth asaj se si përfaqësohet Kosova”, tha ajo.

Osmani së fundmi ka kërkuar ndërprerjen e dialogut me Serbinë për shkak të gjendjes aktuale politike, pas dorëheqjes së presidentit, Hashim Thaçi pasi ndaj tij u konfirmua aktakuza nga Gjykata Speciale.