Vjosa Osmani tregon detajet nga mbedhja e Kryesisë së Kuvendit

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, pas mbedhjes së Kryesisë ka deklaruar se janë pajtuar që të mbajnë seancë të rregullt këtë të enjte, ku do të shqyrtohen një sërë vendimesh e projektligjesh.

“Vendimi i parë ka të bëjë me tejkalimin e lejuar sipas Ligjit për menaxhimin e financave publike që  e krijon një bazë të nevojshme ligjore sa i përket menaxhimit të pandemisë nga aspekti ekonomik”, tha ajo.

Kurse vendimet e tjera, sipas saj që të gjitha lidhen me marrëveshje ndërkombëtare.

“Pra janë projektligje të cilat ka një kohë që po presin në Kuvend. Për fat të keq për shkak të mungesës së konsensusit në të kaluarën nuk kalonin. Tanimë kemi arritur pajtim që të gjitha të procedohen në seancën e Kuvendit. Shpresoj që do të miratohen me dy të tretat e votave”, tha Osmani.

Kryeparlamnetarja u bëri thirrje deputetëve që të respektojnë rekomandimet për shkak të situatës me pandeminë.

Sa i përket qasjes dhe pjesëmarrjes së mediave në mbledhje të komisioneve, ka thënë se varet nga anëtarët e komisionit nëse dëshirojnë t’i hapin mbledhjet.

“Si kryesi i kemi njoftuar që nëse komisionet, duan ta vënë në dispozicion sinjalin, kjo edhe mund të bëhet. Por nuk është vendim që mund të merret në kryesi, është në vullnetin e anëtarëve të komisionit”, tha ajo.