Vjosa Osmani: Tirana ia ka borxh Kosovës zbardhjen e vrasjes së Ahmet Krasniqit

Më rastin e 22-vjetorit të vrasjes së heroit kolonel Ahmet Krasniqi është përuruar shtatorja dhe inaugurimi i sheshit me emrin e tij, në Vushtrri.

Në këtë ceremoni, kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani tha se shteti i Kosovës e ka të vështirë të ardhmen e vet, pa zbardhjen e të gjitha vrasjeve politike, duke filluar nga Ahmet Krasniqi.

Ajo tha se vendi ku u vra ai, Tirana, ia ka borxh Kosovës dhe mbarë kombi shqiptar zbardhjen e vrasjes së Ahmet Krasniqit.

“Sot për kolonelin thuhet e shkruhet shumëçka, por për kolonelin ende nuk është bërë asgjë që vrasja e tij të zbardhet e që autorët të vihen para drejtësisë. Dy dekada më pas, ne, për çdo vit kujtojmë veprat e lavdishme të tij, por se e kemi lënë borxh të madh jo vetëm ndaj familjes së tij, por edhe bashkëluftetarëve dhe qytetarëve, e ky borxh është zbardhja e vrasjes së tij”, tha ajo.

“Kjo enigmë në vete bartë jo vetëm nevojën për drejtësi por edhe nevojën për reflektim në rrethanat aktuale politike. Sepse në skenën tonë politike është bërë rutinore që në një shtrat politik të gjejnë strehë edhe ata që dikur relativitetin politik e kanë shfaqur edhe përmjet tytës së pushkës. Por ky vend e ka të zorshme të ardhmen e vet, pa zbardhjen e të gjitha vrasjeve politike, duke luftuar nga Ahmet Krasniqi. Shteti do të ketë kuptim vetëm kur do të spastrohen njollat në biografinë dy dekadash të lirisë”, shtoi kryeparlamentarja.

“Tirana zyrtare ia ka borxh Kosovës dhe mbarë kombi shqiptar zbardhjen e vrasjes së Ahmet Krasniqit, doracëve dhe urdhërdhënes”, tha ajo.

Ndërsa, kryeministri Hoti duke kujtuar vepren e kolonel Krasniqit, ka përfunduar fjalimin duke cituar presidentin Ibrahim Rugova në përvjetorin e 5-të të vrasjes, në vitin 2003.

“Kolonel Ahmet Krasniqi punoi me devotshmëri dhe përkushtim në formimin dhe forcimin e forcave mbrojtëse të Kosovës, në kuadër të institucioneve legale të vendit tonë. Me kulturën e tij ushtarake, kolonel Krasniqi punoi në krijimin e një ushtrie të fuqishme çfarë i duhej një vendi. Prandaj, shprehim nderimin tonë për këtë. Kolonel Krasniqi ishte njeri i matur, burrë trim dhe ushtarak i rryer. Në jetë ishte i urtë dhe mbushte jetën e tij me interesime e pasione për letërsi dhe artin”, tha Hoti.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se madhësia e një qyteti nuk matet me territor, por me trashëgimi, kulturore e patriotike. Sipas Tahiri, Vushtrria i dha Kosovës, Hasan Prishtinën e më pas Ahmet Krasniqin.

Të pranishëm në këtë ceremoni kanë qenë të pranishëm edhe ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, ministri i Mbrojtjes Anton Quni, Gjenerallejtënant Rrahman Rama, nënkryetar të LDK-së, kryetar komunash etj.