Vjosa Osmani takon komandantin e KFOR-it: Kosova i ka të përcaktuar kufijtë e saj që nga 17 shkurti

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar sot komandatin e KFOR-it, Michele Rissi.

Temë diskutimi, siç thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës, ishte siguria dhe menaxhimi i pandemisë së COVID-19.

Kryetarja Osmani u njoftua me gatishmërinë e strukturave të NATO-s, përkatësisht të misionit të saj në Kosovë, për t’u dalë në ndihmë qytetarëve dhe institucioneve të vendit në menaxhimin e pandemisë Covid-19”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, gjeneral Risi citohet të ketë thënë se KFOR-i do të ofrojë ndihmë për menaxhim të pandemisë.

“Gjeneral Risi shprehu gatishmërinë e strukturës që ai e udhëheq që KFOR-i të ofrojë të gjitha kapacitetet e nevojshme për ndihmë popullit dhe institucioneve të Kosovës për menaxhimin e kësaj pandemie”, thuhet tutje në njoftim.

Kryetarja e Kuvendit, Osmani dhe gjeneral Rissi diskutuan edhe për situatën e krijuar në Kraçevë të Kamenicës, ku ditë më parë atje u panë xhandarmeria serbe duke patrulluar.

“Kryetarja Osmani tha se, si udhëheqëse e Kuvendit dhe përfaqësuese e popullit, e çmon jashtëzakonisht lart gatishmërinë e KFOR-it për të siguruar ambient të qetë dhe të sigurt, por kërkoi po kështu që bashkëpunimi i kësaj strukture ushtarake të thellohet me institucionet e sigurisë të Kosovës, në mënyrë që qytetarët e vendit të ndihen të sigurt dhe që të shmangen situatat, sikur ajo e Karaçevës, të cilat mund të ndikojnë që qytetarët e vendit të mos ndihen të sigurt”, thuhet në njoftimin e zyrës për media të Kuvendit.

“Kosova i ka të përcaktuar kufijtë e saj që nga 17 shkurti i vitit 2008 dhe qytetarët e vendit duhet të ndihen të sigurt në çdo cep të vendit”, citohet të ketë thënë Vjosa Osmani.