Vjosa Osmani takoi Lumir Abdixhikun

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot ka zhvilluar një takim me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, të cilin e ka falënderuar për rolin konstruktiv për formimin e institucioneve.

“Partitë opozitare kanë rol kyç në proceset e rëndësisë së veçantë për vendin. Prandaj, sot prita në takim kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun. E përgëzova atë për rolin konstruktiv që LDK luajti gjatë procesit të përmbylljes së formimit të institucioneve pas zgjedhjeve të 14 shkurtit”, ka shkruar Osmani në facebook.

Tutje presidentja Osmani ka theksuar se mirëpret kontributin e opozitës për çështjet e interesit shtetëror.

“Sigurova z. Abdixhiku që institucioni i Presidencës do të jetë çdoherë në shërbim të forcimit të bashkëpunimit dhe dialogut mes partive politike, me theks të veçantë për temat e interesit kombëtar. Në këtë drejtim, mirëpres kontributin e të gjitha partive politike opozitare për çështjet që lidhen me interesin shtetëror dhe mirëqenien e qytetarëve”, ka shkruar Osmani duke shtuar se me Abdixhikun gjithashtu janë pajtuar pajtuam që të vazhdojnë diskutimet për temat që kërkojnë konsensus të gjerë politik dhe shoqëror”, thuhet në njoftimin e publikuar nga presidentja.

Vjosa Osmani është zgjedhur presidente e vendit më 4 prill të këtij viti.

Osmani ka qenë nënkryetare e LDK-së. Ajo ishte larguar nga kjo parti pasi u përjashtua nga të gjitha pozitat e saj në LDK.