Vjosa Osmani takoi komandantin e FSK-së

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka takuar edhe komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Ramën.

Sipas një njoftimi për media, në këtë takim u bisedua për zhvillimet e fundit politike në vend si dhe për rëndësinë e koordinimit dhe stabilitetit institucional.

Presidentja Osmani ofroi përkrahje për FSK-në dhe procesin e tranzicionit të saj.

Më herët, Osmani takoi ambasadorët e QUINT-it dhe Zyrës së BE-së, pasi mori mandatin e u.d. presidentes.

Vjosa Osmani sot mori këtë pozitë pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga kjo pozitë për shkak të konfirmimit të aktakuzës nga Dhomat e Specializuara.

Ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi mbrëmë u dërgua në paraburgimin e Dhomave të Specializuara.

Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, sot u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, ish-shefi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, ish-drejtori i shërbimit informativ të UÇK-së, Kadri Veseli dhe anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, pas aktakuzave ndaj tyre që u konfirmuan nga Gjykata Speciale.