Vjosa Osmani takohet me presidentin e Senatit Zviceran

Gjatë vizitës zyrtare në Zvicër, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, sot është takuar me Alex Kuprecht, president i Senatit Zviceran.

Osmani ka shkruar se përveç që është rikonfirmuar raporti i shkëlqyeshëm në mes të Kosovës e Zvicrës, sipas saj, është potencuar fakti se në këtë drejtim ka kontribuar dukshëm edhe diaspora kosovare.

“Në qendër të diskutimeve ishte rëndësia e bashkëpunimit me Zvicrën në drejtim të fuqizimit të sundimit të ligjit, si bazë për konsolidimin e shtetndërtimit, por edhe funksionimit të suksesshëm të shtetit. Konstatuam se një punë serioze në këtë drejtim, përveç se ndikon në përmirësimin e mirëqenies të qytetarëve të Kosovës, është edhe mesazh i suksesit ndaj miqve e aleatëve tanë”, ka shkruar Osmani.

Sipas saj, Kuprecht ka konfirmuar se Zvicra do të angazhohet gjithmonë për Kosovën, ndërsa ka bërë të ditur se është diskutuar gjithashtu për  mundësitë për tërheqjen e investimeve në fusha të ndryshme.

“Takimet e sotme shënojnë hapa të rëndësishëm drejt arritjes së këtyre objektivave”, ka shkruar në fund Osmani.