Vjosa Osmani takohet me infermierët, përkrah kërkesat e tyre

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar sot me përfaqësuesit e Sindikatës së Infermierëve të Kosovës.

Kjo sindikatë sot ka protestuar para Qeverisë, për të kërkuar rritjen e pagesës për ndrrimin e natës, nga 18 në 36 euro.

Osmani ka vlerësuar lartë angazhimin e infermierëve në të gjithë vendin, sidomos në rolin e tyre në menaxhimin e pandemisë.

“Puna në ofrimin e shërbimeve mjekësore për pacientët e prekur me virusin COVID-19 është tepër e rëndësishme.  Por, krahas këtij trajtimi, komunikimi social dhe aspekti psikologjik, të cilin ju po ua ofroni pacientëve të prekur nga ky virus, është po kështu shumë i rëndësishëm’, citohet të ketë thënë Osmani në këtë takim.

Ajo ka siguruar Sindikatën se si kryetare e Kuvendit do të ushtrojë rolin e saj që infermierët të kenë trajtimin e duhur, sidomos tani në kohën e pandemisë.

Ndërsa përfaqësuesit e Sindikatës e kanë njoftuar kryetaren Osmani për angazhimin e tyre gjatë kohës së pandemisë, vështirësitë me të cilat ballafaqeohen dhe për moszbatimin e ligjit dhe kompensimin e ulët për orët e kujdestarisë së infermierëve.