Vjosa Osmani: S’jam pengesa e vetme për çfarëdo marrëveshje që prek kufijtë e Kosovës

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, në emisionin “Jeta në Kosovë” ka thënë se ajo do të jetë pengesë e çfarëdo marrëveshjeje që prek kufijtë e Kosovës.

Osmani ka thënë se nëse presidenti, Hashim Thaçi, mendon se ajo është pengesë për këtë, sipas saj, ai i ka edhe qytetarët e Kosovës kundër çfarëdo marrëveshjeje që është në dëm të Kosovës.

“Unë do të jem pengesë për çdo marrëveshje që nuk është ne interes të Kosovës, për çdo vendim që s’është ne interes të qytetarëve, për Thaçin që mendon një logjikë të tillë, duhet të jetë një gjë e qartë: Vjosa nuk është pengesa e vetme, pengesë kryesore do të jenë qytetarët e Kosovës”, ka thënë ajo.

“Nëse ata mendojnë kështu, që të gjithë qytetarët janë kundër ideve të rrezikshme, kundër aventurave që mund t’i qesin në tavolinë kufijtë e Kosovës, janë të pafuqishëm veç pse nuk janë brenda sallës së Parlamentit, e kanë shumë gabim”, ka shtuar Osmani.