Vjosa Osmani - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Vjosa Osmani shkon në Bruksel për takimin me liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor

Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Bruksel në takimin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Sipas komunikatës së Presidencës, Osmani ka shkuar atje me ftesë të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel.

Thuhet se ajo do ta përçojë mesazhin e popullit të Kosovës mbi nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit, duke filluar nga liberalizimi i stërvonuar i vizave, deri tek mbështetja për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës, pas aplikimit.

“Liderë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel ndër të tjera do të diskutojnë për procesin e zgjerimit dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, bashkërendimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe sfidat gjeostrategjike si rezultat i agresionit rus në Ukrainë”, thuhet në kumtesë.

Në Bruksel, presidentja Osmani thuhet se do ta takojë presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, si dhe krerë tjerë shtetesh partnere të BE-së “për ta rritur mbështetjen për rrugëtimin evropian të Kosovës”.