Vjosa Osmani shkarkoi nga detyra e konsullit edhe djalin e zyrtarit të PDK-së

Në mesin e të shkarkuarve nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, është edhe Blendi Kilaj, djali i ish-zëvendësministrit nga radhët e PDK-së, Isni Kilajt.

Kilaj ishte emëruar nga ish-presidenti Thaçi në gradën më të lartë konsullore në Lubjanë.

Blendi Kilaj ishte propozuar për konsull nga ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, në shtator të vitit 2019.

Siç mëson KALLXO.com, të saposhkarkuarit tjerë janë Flakron Shala – Pragë, Lindon Kqira – Shkup dhe Halim Krasniqi – Tiranë.

Ky vendim i Osmanit erdhi pasi të martën u raportua se Flakron Shala, djali i deputetit të AAK-së Haxhi Shala u emërua konsull në Pragë të Çekisë.

Kurse për Halim Krasniqin ishte raportuar se ishte riemëruar kundërligjshëm konsull i përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Tiranë.

Vendimi për tërheqjen e tij ishte marrë më 30 mars 2020 nga ish-ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca. Por që, ish- presidenti Thaçi ka refuzuar ta dekretojë tërheqjen gjatë kohës së Konjufcës, por edhe pas ardhjes së Meliza Haradinajt në krye të Ministrisë.

Krasniqi ishte i përfshirë me akuza për sulm fizik ndaj një zyrtare e Konsullatës.

Vjosa Osmani shkarkon djalin e Haxhi Shalës dhe tre konsuj të tjerë