Vjosa Osmani - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Vjosa Osmani: Së shpejti do të ketë takime të reja në procesin e dialogut me Serbinë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se së shpejti do të ketë takime të reja për marrëveshjet me Serbinë.

Osmani në një deklaratë ka thënë se njohja reciproke është epiqendër e dialogut ndërsa ka paralajmëruar se pala kosovare do të jetë konstruktive në takimet që do të zhvillohen.

“Jo vetëm marrëveshja permanente për tagrat, por edhe marrëveshje të tjera që ne i kemi shtyrë, për fat të keq janë bllokuar nga ana e Serbisë. Republika e Kosovës ka dhënë maksimumin si një palë konstruktive në dialog, ashtu siç ka kërkuar BE-ja, por ne nuk mund të marrim përgjegjësi për bllokadën e palës serbe. Ajo çka mund të ju siguroj që në ditët në vijim do të ketë takime, dhe pala kosovare do të jetë konstruktive. Njohja reciproke është epiqendra e gjithë procesit të dialogut”, ka deklaruar Osmani.

Dje ka dështuar arritja e marrëveshjes për targat ndonëse ka qenë dita e fundit kur mund të arrihej.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit me palën serbe dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Serbi-Kosovë, Mirosllav Lajçak, ka deklaruar se marrëveshja për targat nuk është arritur për shkak se pala serbe nuk i është përmbajtur marrëveshjes të sjellë një propozim.

“Për arsyet se nuk ka pasur propozim nga grupet punuese, meqë pala serbe nuk i është përmbajtur marrëveshjes së palëve. Bashkimi Evropian është dashur t’u ofrojë palëve opsionet e mundshme që përfaqësojnë një zgjidhje permanente dhe opsione që janë në harmoni me politikat më të mira të BE-së. Pala jonë që në takimin e parë e ka zgjidh preferencën e vet kurse pala serbe ka refuzuar ta caktojë preferencën e tyre. Nëse do të kishim pasur preferenca të njëjta kjo do të zgjidhje, nëse do të kishin qenë të ndryshme do të ishte detyrë e jona t’i përafronim qëndrimet”, është shprehur Bislimi.

Grupet e negociatorëve janë takuar disa herë në Bruksel gjatë këtyre gjashtë muajve që nga arritja e një marrëveshjeje të përkohshme por duket që nuk kanë bërë shumë progres.

Në fund të shtatorit 2021, për të ndaluar bllokadën 13 ditore në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, të organizuar nga qytetarët serbë të veriut të Kosovës dhe të mbështetur nga Beogradi, u arrit një marrëveshje e përkohshme.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje simbolet shtetërore të të dy shteteve janë mbuluar në targat e veturave që nga 4 tetori 2021.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2011.