Vjosa Osmani reagon rreth marrëveshjes sekrete të Thaçit me NATO-n

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar në lidhje me marrëveshjen sekrete ndërmjet presidentit aktual Hashim Thaçi, që në prill të vitit 2013 në cilësinë e kryeministrit atë kohë,  e kishte nënshkruar me NATO-n.

Osmani ka thënë se kryeministri aktual Albin Kurti ka sjellë në vëmendje të Kuvendit një shkëmbim letrash të datës 19 prill 2013, në mes të ish -kryeministrit Hashim Thaçi me ish-sekretarin e NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Osmani ka shkruar se ua ka përcjellë deputetëve letrën e plotë të kryeministrit Kurti, shkëmbimin e letrave të vitit 2013 ndërmjet kryeministrit të atëhershëm Thaçi dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s,  Rasmussen, si dhe opinionin ligjor të Zyrës së Kryeministrit mbi këtë shkëmbim letrash.

“Respektimi i Kushtetutës së Kosovës është obligim i të gjithëve, siç është edhe ruajtja dhe kultivimi i partneritetit me partnerët tanë strategjikë. Në takimin e sotëm me komandantin e KFOR-it, kam vlerësuar kontributin e kësaj force dhe të NATO-s në 20-vjet të angazhimit të saj për një Kosovë të sigurt dhe e kam siguruar që mbesim të përkushtuar për një bashkëpunim të thellë”, ka shkruar Osmani.

Ajo gjithashtu ka thënë se kërkesat që secili institucion në Kosovës të respektojë Kushtetutën  nuk do të duhej të keqinterpretoheshin si sulm apo kontestim ndaj NATO-s.

Dosja e marrëveshjeve sekrete të Hashim Thaçit që i ndalon FSK-së të shkojë në veri