Vjosa Osmani: Qeveria Kurti ishte e vetmja që do ta padiste Serbinë për gjenocid

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani në 21-vjetorin e masakrës së Gjakovës në lagjen Qerim, tha se Qeveria Kurti ishte Qeveria e vetme që në programin e saj kishte përgatitjen e padisë për gjenocid kundër Serbisë.

Osmani në një postim në Facebook po ashtu ka thënë se Kosova për herë të parë kishte instuticione që flisnin para botës për vuajtjet e fëmijëve gjatë luftës së 1999-ës.

“Për herë të parë, Kosova kishte Qeveri që në Programin e saj kishte edhe përgatitjen e Padisë për gjenocid kundër Serbisë. Për herë të parë, Kosova kishte institucione që flisnin para gjithë botës për vuajtjen e fëmijëve gjatë luftës dhe kërkonte drejtësi për ta dhe insistonte që nuk ka paqe pa drejtësi. Ta kujtojmë këtë sot e çdo ditë, përderisa përkujtojmë fëmijët e vrarë, masakruar e të djegur për së gjalli, në Gjakovë e anekënd Kosovës”, ka shkruar Osmani.

Më 1 prill, janë bërë 21 vjet nga masakra në lagjen Qerim në Gjakovë ku janë vrarë 21 persona, gra dhe fëmijë.