Vjosa Osmani: Presidenti Biden ndan vaksina për Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar për ndarjen e vaksinave për Kosovën nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

Ajo përmes rrjetit Facebook bëri të ditur se në muajin mars i kishte kërkuar presidentit Biden dhurimin e vaksinave për Kosovën, pasi në atë kohë Kosova ende nuk kishte filluar administrimin e tyre.

“Më 19 mars 2021, i kam shkruar Presidentit Biden duke kërkuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për dhurimin e vaksinave në kohën kur Kosova ishte i vetmi shtet në Evropë që ende nuk kishte filluar administrimin e tyre. Më 19 Prill 2021 Presidenti Biden u përgjigj pozitivisht në të cilën ai u zotua për ta trajtuar kërkesën tonë rreth vaksinave. Sot, ne jemi të lumtur të njoftojmë se Presidenti Biden, në emër të SHBA-ve, ka vendosur të dhurojë një numër të rëndësishëm të vaksinave COVID-19 për Republikën e Kosovës”, ka njoftuar Osmani.

Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohje për këtë gjest dhe sipas saj, kjo dëshmon mbështetjen e palëkunduar të SHBA-ve ndaj vendit tonë.

“Dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë për Presidentin Biden për këtë gjest bujar dhe për dhurimin e vaksinave COVID-19 për Republikën e Kosovës pas kërkesës së adresuar atij në muajin mars. Njoftimi zyrtar i sotëm është tjetër dëshmi e mbështetjes së palëkundur që vendi ynë e gëzon historikisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh tutje ajo.

“Presidenti Biden ka qenë gjithmonë mik i Kosovës dhe ky donacion ilustron kujdesin dhe konsideratën e pakursyer që ai vazhdon të tregojë ndaj popullit tonë”, tha ajo.

Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës Presidentja Osmani ka falënderuar përzemërsisht presidentin Joe Biden.

“Kosova dhe institucionet tona vazhdojnë të mbeten të palëkundura në orientimin Euro-Atlantik dhe të njëjtën politikë e kanë ndjekur edhe në sigurimin e vaksinave. Zoti e bekoftë Kosovën dhe aleatin tonë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shtoi tutje Osmani.