Vjosa Osmani përkujton Nekibe Kelmendin

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka përkujtuar sot, në dhjetë vjetorin e vdekjes, nënkryetarën e LDK-së, dhe deputeten e Kuvendit të Kosovës, Nekibe Kelmendin.

Osmani ka shkruar se Kelmendi ishte model i gruas së emancipuar dhe të guximshme duke shtruar se pavarësisht sfidave ajo nuk u dorëzua kurrë.

“Si njëra ndër juristet e para në Kosovë, gjatë gjithë jetës së saj nuk reshti së punuari për ta mbrojtur të drejtën e Kosovës për të qenë e lirë dhe e pavarur. Si model i gruas së emancipuar dhe të guximshme, ajo e gëzoi respektin e të gjithëve për përkushtimin e saj për jetësimin e shtetit të Kosovës. Znj. Kelmendi dha shembullin e gruas së pathyeshme, e cila pavarësisht vështirësive dhe sfidave nuk u dorëzua asnjëherë, madje edhe atëherë kur fati tragjik i saj dhe i Kosovës, bëri që ajo të humbte bashkëshortin dhe dy djemtë”, shkroi Osmani.

Presidentja e vendit shtoi se Kosovës ‘i duhen gra e burra të dinjitetshëm e me integritet sikur Nekibja’.

10 vjet nga vdekja e Nekibe Kelmendit