Vjosa Osmani për vrasjen e gruas shtatzënë: Kjo valë kriminale ndaj grave duhet të marrë fund

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar lidhur me vrasjen e gruas shtatzënë brenda hapësirës së QKUK-së në Prishtinë.

Osmani përmes një shkrimi është shprehur se sot vajton e gjithë Kosova për jetët e shuara pa të drejtë.

Sipas saj, ky është një tjetër krim makabër dhe se kjo valë kriminale e femicid ndaj grave duhet të marrë fund.

Presidentja tutje theksoi se në sprovë jemi jo vetëm si shtet, por edhe si shoqëri. Osmani shtoi se përgjigjjaa për vrasësit dhe dhunuesit është rendi, ligji e dënimi maksimal.

Më poshtë gjeni reagimin e plotë të Presidentes Vjosa Osmani:

“Sonte vajton një Kosovë e tërë për gruan që s’arriti të bëhet nënë, për bijën e humbur, për jetën që u shua pa të drejtë. Sonte vajtojmë për jetën e palindur që nuk frymoi kurrë, për jetën që nuk erdhi në jetë.
Një tjetër krim makabër e çnjerëzor. Një tjetër “burrë” që nuk mund të quhet qenie njerëzore, por që ia mori jetën gruas dhe fëmijës që do të bëhej gëzimi e jeta e nënës.
Sonte mungojnë fjalët se ato i ka zëvendësuar dëshpërimi. Sonte është e vështirë të mendosh se ka shpresë!
Por, sonte shpresa e besimi janë më të nevojshme se kurrë. Kjo valë kriminale e ky femicid ndaj grave duhet të marrë fund. Në sprovë jemi jo vetëm si shtet, por edhe si shoqëri. S’ka më arsyetime e justifikime. Jeta e vajzave dhe grave, sikurse e çdo qytetari tonë është e shenjtë.
Asnjë vajzë e grua më shumë është thirrje kombëtare për të gjithë ne. Përgjigja për dhunuesit, abuzuesit dhe vrasësit është rendi dhe ligji e dënimi maksimal.
Borxhi ynë ndaj viktimave të dhunës, jetëve të palindura e jetëve të ndërprera pa të drejtë është një dhe i vetëm: DREJTËSI!”

Policia: Viktima në oborrin e QKUK-së është një grua rreth 35-vjeçare