Vjosa Osmani për koalicionin: Vendos Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së

Anëtarja e kryesisë së LDK-së, Vjosa Osmani, sot ka folur para gazetarëve në lidhje me koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje, për formimin e qeverisë.

 

 

Osmani ka deklaruar se për këtë çështje fillimisht vendosin anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, e më pastaj edhe deputetët.

“Pra është në vullnetin e po ashtu në ndërgjegjën e secilit anëtarë të Këshillit. Besojë që në ditët në vijim do të mbledhen edhe organet e partisë, të cilat e kanë detyrën sipas statutit që të vendosin për tema të tilla”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se sot do të diskutohet, se kur do të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, pasi sipas saj, nuk ka më kohë për të humbur.

Në lidhje me deklaratën e nënkryetarit të LDK-së, Agim Veliu, Osmani ka thënë se e përsërit atë që ka thënë mbrëmë, se për propozime të tilla vendosë Këshilli i Përgjithshëm.

“Natyrisht që në Këshill të Përgjithshëm do të diskutojmë lidhje me rimandatimin e ekipit tonë, për të vazhduar negociatat dhe për parimet brenda të cilave do të vazhdojnë ato negociata dhe natyrisht anëtaërt e Këshillit do ta diskutojnë dhe do ta shprehin vullnetin e tyre lidhur me këtë temë. Mirëpo nuk është e drejtë që unë të paragjykoj se si mendojnë ata, sepse secili prej tyre ka mandat, por ka edhe përgjegjësi para qytetarëve të Kosovës, që ta jep vlerësimin në interes të vendit”, ka deklaruar para gazetarëve, Osmani.

Në fund, Osmani ka thënë se atmosfera në LDK është shumë e mirë dhe ka përkrahje të fuqishme, më shumë se kurrë më parë, që vullneti i qytetarëve të shkoj deri në fund.

“Jam shumë optimiste për si person dhe nuk lejoj asgjë të ma humb optimizmin”, ka thënë Osmani, kur është pytet nga gazetarët se a beson që do të arrihet koalicioni.