Foto: NATO
Vjosa Osmani për ish-presidentin Rugova: Udhëheqja e tij është shembull e model të cilin duhet ta kujtojmë çdo ditë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka përkujtuar ish-presidentin Ibrahim Rugova, në përvjetorin e 78-të të lindjes.
Përmes një shkrimi ajo u shpreh se Rugova ishte ideator i shtetit të pavarur të Kosovës dhe me urti e dije artikuloi politikisht vullnetin e qytetarëve të vendit.
“Sot shënojmë 2 dhjetorin, ditën e lindjes së presidentit të parë, historik, të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, njeriut i cili e udhëhoqi popullin e vet drejt lirisë dhe pavarësisë. Presidenti Rugova ishte ideator i shtetit të pavarur të Kosovës e prijës i parë i saj. Me urti e dije të pashoqe, ai arriti ta artikulonte politikisht vullnetin e qytetarëve të Kosovës për të jetuar të lirë, në tokën e tyre e në shtetin e tyre” – është shprehur Osmani.
Tutje, Osmani shtoi se udhëheqja e ish-presidentit Rugova është model të cilin duhet kujtuar çdo ditë.
“Udhëheqja e tij është shembull e model të cilin duhet ta kujtojmë çdo ditë e me të cilin duhet të mishërohemi, në mënyrë që vizionin e presidentit Rugova për shtet ta bëjmë edhe më kuptimplotë, duke e jetësuar çdo ditë atë” – shtoi më tej presidentja.
Më 21 janar të vitit 2006, Ibrahim Rugova vdiq në moshën 61 vjeçare. Ai ishte diagnostikuar me kancer të mushkërive.
Rugova u bë president i Kosovës në vitin 2002. Ai kaloi pjesën e parë të karrierës së tij si profesor dhe autor librash. Ai hyri në politikë në vitin 1989, duke themeluar Lidhjen Demokratike të Kosovës