Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani Foto: Denis Sllovinja /KALLXO.com

Vjosa Osmani pasi mori çmimin në Gjermani: Historia e Kosovës është histori e besimit në demokraci

“Historia e Kosovës është histori e besimit në demokraci”.

Kështu u shpreh presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pasi mori çmimin që u jepet personaliteteve që janë të përkushtuar për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit, lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit dhe mbrojtjes së vlerave europiane, çmimi M100 Media Award.

Osmani gjatë fjalimit të saj tha se pavarësisht se sa e brishtë është ndonjëherë, për demokracinë ia vlen gjithmonë të luftohet e se lufta për demokraci nuk është kurrë një luftë individuale, por është një përpjekje kolektive.

“Ajo na përket të gjithëve ne. Dhe nëse heshtim, nëse tërhiqemi, ndihmojmë në mbjelljen e farave të ndarjes që kërkojnë të rrëzojnë gjithçka që kemi arritur së bashku” – u shpreh Osmani.

E para e shtetit tha se diçka e tillë nuk duhet të lejohet, pasi sipas saj çdo vakum në demokracinë është një mundësi e ripërtërirë për tiraninë dhe autokracinë.

“Ne qëndrojmë për lirinë, për dinjitetin, për premtimin e një bote ku fuqia e një vendi nuk qëndron në madhësinë e tij, por në aftësinë e tij për të qëndruar në anën e duhur të historisë dhe për të dalë për demokracinë” – theksoi Osmani.

Presidentja tha se populli i Kosovës do të jetë gjithmonë kampion i demokracisë, pasi ky popull e di se çfarë do të thotë të jetosh pa të.

“Unë qëndroj sot para jush, duke ju kërkuar që të punoni krah për krah për t’u siguruar që kjo gjeneratë e fëmijëve në Kosovë do të jetojë premtimin e paqes dhe do të përpiqet drejt një bote më të mirë për të gjithë ne” – theksoi Osmani.

Ajo tutje shtoi se Kosovës është ajo që është sot sepse, në vitin 1999, Gjermania, së bashku me aleatët e tjerë të NATO-s, u mblodhën në mbështetje të luftës çlirimtare për t’i dhënë fund regjimit gjenocidal të Millosheviqit.

“Më 24 mars 1999, avionët e Bundeswehr-it iu bashkuan fushatës ajrore të NATO-s për të ndalur vuajtjet dhe shkatërrimet që po shpaloseshin atëherë në Kosovë” – u shpreh presidentja.

“… Ne jemi një brez fëmijësh që u rritëm në një sistem të ngjashëm aparteidi që vazhdoi të shndërrohej në një luftë gjenocidale kundër ekzistencës sonë” – vazhdoi tutje ajo.

Osmani tha se ai vendim në vitin 1999 shënoi me të vërtetë një pikë kthese vendimtare në politikën e jashtme të Gjermanisë dhe në historinë e vetë Aleancës së Atlantikut të Veriut.

“Shembulli juaj i tregoi botës se përballë vështirësive, demokracitë qëndrojnë të bashkuara” – shtoi Osmani.

Ajo gjithashtu tha se edhe sot, në të njëjtën frymë, ushtarët gjermanë që shërbejnë në Kosovë me krenari mbajnë trashëgiminë e veprimit të bashkuar në mbrojtje të paqes dhe sigurisë së qëndrueshme.

“Për këtë, ne falënderojmë mbi 50,000 ushtarë gjermanë që kanë shërbyer në Kosovë që nga viti 1999, duke përfshirë edhe kryetarin e nderuar të Komunës së Potsdamit, z. Schubert” – vazhdoi e para e shtetit të Kosovës.

Tutje ajo tha se kur flet për ambiciet e Kosovës për t’iu bashkuar Bashkimit Europian dhe NATO-s, theksoi se sheh një mundësi për të ndërtuar një Kosovë më të fortë, më të sigurt dhe parandaluese si një anëtare e barabartë e familjes euroatlantike.

M100 Media Award M100 Sanssouci Colloquium është një forum ndërkombëtar që mbahet një herë në vit që nga viti 2005 në qytetin e Potsdamit.

Ky forum ndërkombëtar drejtohet konceptualisht nga një bord këshillues i përbërë nga gazetarë të njohur dhe personalitete të ndryshme gjermane dhe ndërkombëtare, të cilët takohen në intervale të rregullta.

Përveç kësaj, ky bord këshillues vepron si juri për M100 Media Award dhe udhëhiqet nga kryebashkiaku i qytetit të Potsdamit, Mike Schubert.

Nominimi i presidentes Osmani është bërë nga juria e tij, propozim i mbështetur me unanimitet të plotë nga të gjithë anëtarët e jurisë.

Ky çmimi u jepet personaliteteve që janë të përkushtuar për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit, lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit dhe mbrojtjes së vlerave europiane.

Kemi kuptuar se në garë për këtë titull kanë qenë edhe personalitete të ndryshme europiane, përfshirë presidentë dhe kryetarë qeverish.

Përpos presidentes Osmani, laureat i këtij çmimi është edhe kryeministri i Polonisë, Donald Tusk. Fjalën kryesore me këtë rast do ta mbajë kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz.

Presidentja Vjosa Osmani është liderja e parë nga Ballkani që nderohet me çmimin ndërkombëtar M100 nga Sanssouci Colloquium.

Në njoftimin e publikuar nga M100 thuhet se presidentja Osmani “është e përkushtuar për demokracinë dhe sundimin e ligjit, si dhe për integrimin e Republikës së Kosovës në strukturat euroatlantike. Ajo angazhohet për mbrojtjen e demokracisë dhe lirisë si arritje thelbësore, përkundër të gjitha kërcënimeve dhe pengesave”.

Presidentja Vjosa Osmani është nderuar në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës – një sinjal i qartë se Kosova i takon familjes dhe vlerave europiane.

Me këtë çmim janë nderuar edhe personalitete të ndryshme europiane Hans-Dietrich Genscher, Bernard Kouchner, Mario Draghi, Vitali Klitschko, Alexei Nawalny, populli ukrainas dhe Lëvizja për Lirinë e Jetës së Grave Iraniane.