Vjosa Osmani pas tragjedisë në Kamenicë: Pandemia i dha më tepër krahë dhunës në familje

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas tragjedisë në Kamenicë, duke i shprehur ngushëllime familjes së viktimës që dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj me anë të një shufre metalike.

Osmani ka deklaruar se pandemia ka ndikuar në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje, e që si rrjedhojë thotë se shtëpitë, për një numër gjithnjë e në rritje të grave, u shndërruan në hapësirë makthi.

“Kur pabarazia shndërrohet në normë të pashkruar; kur burrat që e përdorin dhunën ose tentojnë atë jo vetëm që arsyetohen por edhe shpesh vishen me petkun e ‘heroit’ në ‘mbrojtje të moralit dhe nderit’ e çka jo tjetër- në një shoqëri ku merr frymë një mendësi e tillë, pastaj natyrshëm disa e arsyetojnë edhe dhunën ndaj grave. Në rastin në Kamenicë e në shumë raste të tjera, dhuna merr jetë. Kjo kohë pandemie, për fat të keq, i dha krahë edhe më tepër dhunës në familje. Shtëpitë, hapësira ku ne supozohej të ndiheshim më të sigurtë gjatë pandemisë, për një numër gjithnjë e në rritje të grave, u shndërruan në hapësirë makthi. Gratë lëre më që nuk janë të sigurta në punë e në rrugë, por shumë prej tyre nuk janë të sigurta as në shtëpi”, ka shkruar kryeparlamentarja në rrjetin social “Facebook”, duke shtuar se dhuna nuk arsyetohet por duhet të dënohet.

KALLXO.com raportoi sot se i pandehuri N.M po dyshohet se vrau gruan e tij duke e goditur në kokë me shufër metalike rreth 1 metër e gjatë.

Dosja e Prokurorisë së Gjilanit në kërkesën për caktimin e masës së sigurisë tregon se e gjitha kishte filluar me fjalosje mes sy bashkëshorteve ndërsa i pandehuri fillimisht kishte goditur gruan në pjesën e majtë të kokës me shufrën metalike.

Tutje në kërkesën e siguruar nga KALLXO.com thuhet se gruaja pas goditjes ka rënë në dysheme dhe burri ka vazhduar sërish ta godasë me mjetin e rëndë.