Vjosa Osmani, Gabriel Escobar, Mirosllav Lajcak Foto Presidenca e Kosoves

Vjosa Osmani pas takimit me Escobarin dhe Lajçakun: Serbia bllokuese e progresit në dialog

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim përfaqësuesin special të BE-së Miroslav Lajçak dhe zëvendësndihmës sekretarin e ShBA-së, njëherit përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me të cilët ka diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi, I ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Siç njoftoi Presidenca, presidentja ka theksuar se Republika e Kosovës është e përkushtuar për dialog që ka në qendër njohjen reciproke dhe u shpreh se Kosova e ka dëshmuar këtë me angazhimin e saj aktiv dhe me propozimet e bëra gjatë procesit.

Presidentja, thuhet tutje në komunikatë, gjithashtu përsëriti qëndrimin e Kosovës se marrëveshja për njohje reciproke nuk duhet të prekë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës.

“Është tashmë e qartë se Serbia po e bllokon progresin në dialog nëpërmjet qasjes së saj jokonstruktive”, citohet të ketë thënë presidentja Vjosa Osmani.

Duke vënë në pah konstruktivitetin e Kosovës, presidentja gjithashtu bëri të qartë se lista e marrëveshjeve që nuk janë  zbatuar nga Serbia është e gjatë dhe duhet të trajtohet urgjentisht nëse duam të rivendosim besimin në procesin e dialogut.

Ajo ka thënë se Serbia jo vetëm që vazhdon të mos zbatojë marrëveshjet e mëparshme, por ajo gjithashtu shfaq pengesa të qarta sa herë që marrin pjesë në takimet e organizuara në kuadër të dialogut në Bruksel.

Në këtë drejtim, presidentja ka thënë se pret trajtim të barabartë të palëve në këtë proces nga ana e Bashkimit Evropian si ndërmjetësues i dialogut.

Presidentja po ashtu theksoi edhe një herë rëndësinë absolute të ndriçimit të fatit të personave të zhdukur me dhunë si prioritet i procesit të dialogut.