Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe u.d e presdentes Vjosa Osmani Foto: Zyra e Presidentit

Vjosa Osmani nuk pajtohet me Avdullah Hotin për shef të AKI-së, propozon emër të ri

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani ka propozuar një emër tjetër për shef të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë.

Këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina për KALLXO.com ka thënë se propozimi do të mbetet konfidencial për shkak të procesit.

“U.d. Presidentja Osmani e ka propozuar një emër për shef të AKI-së. Meqë ky proces duhet të mbetet tërësisht konfidencial nuk mund ta bëjmë publik emrin tash për tash”, ka thënë Kupina për KALLXO.com.

Ai tutje shtoi se presin nga ana e Kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti që të pajtohet me propozimin e Osmanit.

Në anën tjetër, KALLXO.com merr vesh se Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka propozuar një emër tjetër për shef të AKI-së.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime në lidhje me këtë çështje edhe nga zëdhënësja e qeverisë Antigona Baxhaku por deri në publikimin e këtij shkrimi e njëjta nuk ka kthyer përgjigje.

Sot bëhen 20 ditë që nga kërkesa e kryeministrit në detyrë, Hoti për lirimin nga detyra të ish- shefit të AKI-së Kreshnik Gashi.

Sipas Ligjit për AKI-në: “Presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me Kryeministrin, emërojnë së bashku Drejtorin e AKI brenda njëzet (20) ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë”.