Vjosa Osmani nuk merr pjesë në seancën e votimit të Qeverisë Hoti

Ka filluar të mbahet seanca për votimin e Qeverisë së re, por këtë seancë nuk është duke e udhëhequr kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Kjo seancë është duke u udhëhequr nga bashkëpartiaku i saj, Kujtim Shala.

Dje, Osmani, ka thënë se zgjidhja më e mirë në këtë moment do të ishte unifikimi i skenës politike rreth një figure apartiake në mënyrë që qeveria e re të mos varet nga votat e Listës Serbe.

Ajo, ka përsëritur edhe njëherë, se zgjedhjet e reja do të legjitimonin institucionet e reja.

Osmani ka thënë për KALLXO.com se në këtë moment për Kosovën, opsioni më i mirë do të ishte “një qeveri transitore me mandat 6-9 muajsh, e drejtuar nga një figurë unifikuese dhe me ministra teknikë”.

Deri tek krijimi i Qeverisë së re erdhi pasi që LDK si ish-partner i koalicionit me LVV, e rrëzoi atë përmes një mocioni të mosbesimit, pasi që Kurti e shkarkoi minstrin e Brendshëm nga LDK, Agim Veliu dhe mos pajtimet për heqjen e tarifës 100 % ndaj Serbisë pa reciprocitet.