Vjosa Osmani, Foto: Kuvendi i Kosoves

Vjosa Osmani ngushëllon familjet e dy minatorëve të vdekur në minierën e Artanës

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka ngushëlluar familjet e dy minatorëve të vdekur sot nga shembja e dheut në minierën e Artanës (Novobërdës).

Në telegramin e saj thuhet se vdekja e dy minatorëve nga shembja e dheut në minierën e Artanës është lajm i hidhur jo vetëm për familjet e tyre, por edhe për gjithë Kosovën.

Sipas Osmani, ky rast duhet të jetë alarm për institucionet, të cilat duhet bëjnë më shumë për krijimin e kushteve të punës dhe sigurisë në sektorin minerar dhe atë të ndërtimit.

“I shprehim ngushëllime të sinqerta familjeve të viktimave në emër të Kuvendit të Kosovës. Fati tragjik i dy luanëve të nëntokës, të cilët janë sinonim i sakrificës për vendin, duhet të jetë alarm për institucionet, të cilat duhet bëjnë më shumë për krijimin e kushteve të punës dhe sigurisë në sektorin minerar dhe atë të ndërtimit. E ndajmë dhembjen me ju në këto çaste të rënda!”, thuhet në telegramin e Osmanit.

Sot në minierën e Novobërdës kanë vdekur dy minatorë pasi ishin brenda kur një pjesë e minierës u shemb.

Shembet dheu në minierën e Novobërdes