Vjosa Osmani ngrin pozitën e asistentes në UP

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se do ta pezullojë punën e saj si asistente në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Vendimin ajo e mori një javë pasi e rimori këtë pozitë.

Vjosa Osmani pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit tha se do t’i dorëzojë kërkesën për pezullim Universitetit pasi që do të fokusohet në punën e kryesimit të Kuvendit.

“Natyrisht që do ta dërgoj kërkesën për t’u pezulluar gjatë kësaj periudhe. Është një praktikë në Fakultetin ku unë ligjëroj, ku personat që mbajnë pozita të zyrtarëve të lartë publikë e dërgojnë një letër-kërkesë për pezullim gjatë asaj periudhe që natyrisht gjatë këtyre viteve do të sigurohem në tërësi vetëm në punën time në Kuvend sado që studentët do më mungojnë jashtëzakonisht shumë”, ka thënë kryeparlamentarja.

Osmani është zgjedhur përsëri si asistente në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” javën e kaluar më 31 janar.

Ajo që nga viti 2006 është asistente në këtë Fakultet, ku ka ligjëruar në departamentin e të drejtës ndërkombëtare.

Kurse, kandidati për deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhavit Rexhaj në #DebatPernime ka premtuar se të zgjedhurit e  LDK-së në Kuvend, dhe në rast se janë në Qeveri, edhe ministrat e kësaj partie që punojnë si profesor nuk do t’i mbajnë dy punë.

“Një mësimdhënës universitar mund t’i ketë edhe disa orë jashtë normës. Një shërbyes civil mund t’i ketë, por nuk është në rregull, sepse ai është diçka duke lënë keq. Ne të LDK-së, nuk do t’i kryejmë dy punë. Nëse flasim, për ministra, deputetë dhe mësimdhënie ”, kishte thënë ai.