Vjosa Osmani nga Turqia, kërkon liberalizim të vizave nga BE

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani është duke qëndruar në Turqi në samitin vjetor të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore.

Gjatë vizitës së saj në Turqi, Osmani ka pasur takim edhe me presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka njoftuar se ka mbajtur një fjalim para përfaqësueseve të anëtarëve të forumit, ku ka folur mbi sfidat e rajonit, procesin e integrimit në Bashkimin Evropian si dhe mundësin e bashkëpunimit rajonal.

“Prandaj u bëra edhe një herë thirrje vendeve të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës që ta njohin sa më parë atë, ngase ai është realitet i pakthyeshëm, si dhe ta respektojnë në plotni sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë. Integrimi euroatlantik nuk përbën vetëm një alternativë për ne, ai parqet rrugën e vetme përpara. Por, përkushtimi ynë ndaj integrimeve duhet të njihet nga Bashkimi Europian”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Përveç kërkesës për njohjen e pavarësisë së Kosovës, Osmani ka kërkuar edhe liberalizimin e vizave për kosovarët.

“Siç po lëvizim ne me shpejtësi drejt integrimit të vendit tonë, duke i përmbushur të gjitha kërkesat e parashtruara ndaj nesh, edhe Bashkimi Europian duhet ta vlerësojë angazhimin e qytetarëve të Kosovës dhe ta mbajë premtimin për liberalizim të vizave”, ka shkruar tutje ajo.