Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vjosa Osmani: Në zgjedhjet e 14 shkurtit te votat e komuniteteve kemi ndërhyrje të drejtëpërdrejtë të shtetit serb

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka thënë se ajo çfarë ka ndodhur me votat e komunitetit serb në Kosovë, të cilat kanë shkuar për një parti të caktuar boshnjake, është një ndërhyrje nga shteti i Serbisë në procesin zgjedhor.

Në një intervistë për KALLXO.com, Osmani ka thënë se për këtë i ka njoftuar edhe ndërkombëtarët.

“Për fat të keq, ndërhyrja nuk mund të reduktohet këtu në ndërhyrje të Listës Serbe, kjo është ndërhyrje e drejtpërdrejtë e Vuçiqit, pra është ndërhyrje e një shteti, pra shtetit serb në një proces elektoral të një shteti tjetër, në këtë rast të Republikës së Kosovës, gjë që ndalohet edhe me drejtën ndërkombëtare”, tha Osmani në emisioni “Kallxo Pernime”.

“Unë e kam shprehur këtë shqetësim në kontaktet e mia me Uashingtonin, Berlinin e Brukselin, por edhe me kryeqytetet tjera, sepse kjo shkon përtej zhvillimeve tona të brendshme dhe tregon për një qasje destabilizuese të Serbisë në rajonin tonë”, deklaroi ajo.

Vjosa Osmani ka thënë se ka bazë ligjore, nga ajo çfarë ka parë deri më tani, që partitë e komuniteteve të cilat i kanë vendet e garantuara sipas Kushtetutës së vendit, të ankohen në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme.

“Sa jam informuar unë, komunitetet do të ankohen sepse u është shkelur e drejta e tyre. Kjo duhet të ndodhë kur të certifikohen rezultatet. I kam njoftuar miqtë tanë ndërkombëtarë për votat e komunitetit serb që shkuan për partitë boshnjake, unë besoj se ata do të reagojnë pasi të certifikohen rezultatet”, deklaroi ajo.