Vjosa Osmani në Gollak: Ata që po flasin për korrupsion, janë sinonim i tij

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, ne një takim elektoral të mbajtur në Kaqekollë ka thënë se Kosova humb 400 mijë euro në ditë nga aferat korruptive.

“Paramendoni sa do të ishin 400 mijë po të investoheshin në Gollak. Kjo humbje vjen si pasojë e krimit dhe korrupsionit në baza ditore”, tha Osmani.

Osmani për deklaratat kundër korrupsionit nga kandidatët të tjerë për kryeministër, ka thënë se “ata janë vetë sinonim i korrupsionit”.

Ajo ka folur edhe për premtimet e oponentëve të saj politikë. “Të tjerët që ju premtojnë Zvicra dhe kanë parulla kundër korrupsionit, ata janë vetë sinonim i korrupsionit. Të tillët nuk i duhen Gollakut dhe as Kosovës. Ata japin fjalë të mëdha, por kurrë asnjë punë të mirë për Kosovën nuk e kanë bërë. Prandaj nuk meritojnë një shans të dytë”, tha Osmani.

Para qytetarëve të Gollakut dhe gjithë qytetarëve të Kosovës ajo është zotuar se asnjë cent i buxhetit gjatë qeverisë së saj nuk do të keqpërdoret.

“Unë e kam një zotim shumë më të rëndësishëm para jush, që sot e pret secili qytetarë i Kosovës. E ajo është që kurrë më, asnjë cent i taksave tuaja nuk ka me u keqpërdor. Atëherë kur nuk keqpërdoren taksat tuaja, puna juaj, atëherë taksat ju kthehen qytetarëve. Atëherë kur bizneset përkrahen dhe nuk ju kërkohet haraç, nuk ju bëhet presion, atëherë nëpërmes tyre do t’ju ndihmojmë juve. Taksat e juaja do të shfrytëzohen për arsim më cilësor, për shëndetësi e cila shëron qytetarët, dhe jo siç është aktualisht”, ka shtuar ajo.