U.D Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në kampin ushtarak amerikan "Bondsteel"

Vjosa Osmani në “Bondsteel”: Ushtria e Kosovës është krenaria jonë e madhe

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka mbajtur një fjalim para ushtarëve amerikan pas një vizite që ka pasur në kampin ushtarak “Bondsteel”, në Ferizaj.

Osmani ka vlerësuar dhe ka falënderuar kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në shtetndërtimin e Kosovës.

“SHBA-të për një kohë të gjatë kanë qenë mik i përkushtuar ndaj Kosovës dhe e di se do të vazhdojnë të jenë po njësoj”, tha ajo.

Ajo shtoi se Ushtria e Kosovës është krenaria jonë e madhe.

“Uniforma ushtarake ka qenë një ëndërr e përjetshme për shumë të rinj në Kosovë dhe jam e sigurt që është një nder për ta të shërbejnë për vendin e tyre të lindjes. Sot Ushtria e Kosovës është krenaria jonë e madhe, me mbështetjen që ka nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh mes tjerash Osmani.