Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani dhe kryetarët e komisioneve parlamentare, Foto: Kuvendi i Kosovës

Vjosa Osmani mbledh kryetarët e komisioneve parlamentare

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, mbajti sot takim të përbashkët me kryetarët e komisioneve parlamentare.

Sipas një njoftimi të Kuvendit, qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi lidhur me punën e komisioneve gjatë sesionit vjeshtor, si dhe mbarëvajtja e punimeve të komisioneve muajve në vijim.

Osmani ka potencuar se këto takime janë të një rëndësie të veçantë, të cilat ndikojnë në koordinim më të madh të punës së të gjitha komisioneve parlamentare.

“Fillimisht, kryetarja e Kuvendit i njoftoi të pranishmit lidhur me gjendjen e projektligjeve në procedurën e shqyrtimit në komisione parlamentare, duke i përgëzuar njëkohësisht për angazhimin e tyre përgjatë sesionit të kaluar. Poashtu, ajo inkurajoi komisionet të iniciojnë nisma legjislative, kur do që një gjë e tillë të jetë e nevojshme”, thuhet në njoftim.

Tutje Osmani thuhet se u ka bërë thirrje komisioneve të angazhohen në monitorimin e zbatimit të ligjeve nga fushëveprimtaria e tyre.

Kryeparlamentarja ka kërkuar angazhim të shtuar të komisioneve lidhur me përmbushjen e obligimeve që dalin nga agjenda e integrimit evropian, e njëkohësisht u bëri thirrje që të respektojnë Ligjin për Barazi Gjinore gjatë procesit të rekrutimit për pozita udhëheqëse në agjenci të pavarura.

“Kryetarja Osmani poashtu vëri në pah nevojën për miratimin e rregullores së re të punës së Kuvendit, duke inkurajuar deputetët që sa më parë të ri-fillojnë trajtimin e saj”.

Në anën tjetër, kryetarët e komisioneve parlamentare shpalosën planet e punës së komisioneve përkatëse, duke u fokusuar në agjendën legjislative dhe aktivitetet mbikëqyrëse të komisioneve. Poashtu, ata ndanë edhe sugjerimet dhe sfidat me të cilat përballen gjatë punës së tyre në komisione.

“Takime të tilla do të vazhdojnë të organizohen në baza periodike, për të rritur bashkëpunimin mes komisioneve parlamentare dhe efikasitetin e punës në Kuvend”, thuhet në njoftimin e legjislativit.

Kuvendi i Kosovës gjatë seancave të fundit është përballur me mungesë kuorumi në vendimmarrje.